Kurshumlija dhe Mumini delegohen për sfida të rëndësishme ndërkombëtare
Komesari i Garave të Federatës së Basketbollit të Kosovës, Faton Kurshumlija, është deleguar për dy ndeshje ndërkombëtare, që do të zhvillohen në Bullgari.
Kurshumlija do të jetë delegat në sfidën Rilski Sportist-Alba Fehervar, në grupet e FIBA Europe Cup për meshkuj.
Ky takim do të zhvillohet më 29 tetor, derisa një ditë më pas, do të jetë delegat në ndeshjen BC Balkan-Club Deportivo, po ashtu në grupet e FIBA Europe Cup.
Gjyqtari i njohur, Xhelal Mumini do të ndajë drejtësinë në kualifikimet e FIBA Women’s Eurobasket ndërmjet Maqedonisë Veriore dhe Ukrainës, takim që zhvillohet më 7 nëntor.
Mumini po ashtu do të jetë gjyqtar në dy ndeshje të rëndësishme në grupet e FIBA EuroCup Women mes Geas Basket-Sport Lisbona më 24 tetor në Itali dhe takimin Galatasaray-Club Universitario de Ferrol, më 30 tetor në Turqi.
Kurshumlija dhe Mumini kanë qenë të deleguar edhe më parë në gara evropiane dhe kanë përvojë nga garat ndërkombëtare.