Çeku: Boja mbështetës i lëvizjes paqësore dhe luftës së UÇK-së
Ish-kryeministri i Kosovës dhe ish komandanti i Trupave të Mbrojtjes së Kosovës(TMK), Agim Çeku në konferencën shkencore të organizuar nga Bashkësia Islame e Kosovës(BIK) për figurën e ish-myftiut dhe ambasadorit të Kosovës, Rexhep Boja ka thënë se Boja ishte mbështetës dhe frymëzues për brezat e ri në rrugën e atdhedashurisë.
Ashtu siç e mbështeti lëvizjen paqësore profesor Boja do të mbështeste fuqishëm edhe luftën për liri të udhëhequr nga UÇK-ja, ka thënë Çeku.
“Ky popull ka hyrë në rrugën drejt fitores. Ne jemi të këtij populli dhe përherë do të jemi në mesin e tij. Hoxha gjendet përherë pranë flamurit“.
Këto fjalë të profesor Bojës ishin thirrje e qartë për mobilizim në radhët e UÇK-së tha Çeku.
“Kësaj thirrjeje ju bashkuan edhe shumë imamë të cilët ishin frymëzuar e brymosur me ndjenja të larta kombëtare dhe fetare. Shumë nga ta ranë dëshmorë në themelet e lirisë së Kosovë duke ndjekur kështu shembullin e shumë prijësve fetarë të cilët ne shekuj ishin flijuar për liri. Nuk duhet harruar as ndihmën e madhe që Bashkësia Islame i dha UÇK-së në fushën e logjistikës”, ka thënë ai, shkruan Dukagjini.com.
“Gjatë kohës sa shërbeja si komandant në TMK-së me profesor Bojën e kemi skicuar se si duhet të ndërtohet raporti mes fesë dhe ushtrisë, siç e kanë të gjitha ushtritë moderne të botës në të cilat besimi ka rolin e vet. Sot ushtria jonë ka imamin e vet dhe hapësirat e nevojshme që pjesëtarët e saj të praktikojnë fenë e tyre siç e kanë të rregulluara të gjitha ushtritë e vendeve demokratike. Forcimi i besimit e forcon edhe karakterin dhe personalitetin e ushtarakut dhe e bën atë më të kompletuar”, ka thënë Çeku.