Kryetarja e Preshevës merr mbështetje nga Shqipëria
Shqipëria do ta mbështesë Luginën e Preshevës jo vetëm politikisht, por edhe përmes nismave konkrete.
Këtë zotim në emër të qeverisë shqiptare i ka dhënë kryetares së Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, kryediplomati shqiptar Igli Hasani gjatë një takimi të zhvilluar bashkë.
“Kënaqësi të ndanim me të diskutime frytdhënëse mbi forcimin e bashkëpunimit me institucionet e reja të dala nga zgjedhjet lokale, me faktorët politikë, socialë dhe ekonomikë në Luginën e Preshevës, si dhe mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të shqiptarëve”, ka shkruar ndër të tjera Hasani i cili njoftimit i ka bashkuar fotografinë nga takimi me kryetaren e Preshevës.
Ai tha se i rikonfirmoi vëmendjen dhe angazhimin e veçantë të Qeverisë së Shqipërisë ndaj zhvillimeve në Luginën e Preshevës dhe problematikave me të cilat përballen shqiptarët atje.
“Jo vetëm mbështetje politike por edhe nisma konkrete, përmes projektesh zhvillimore, në fushën e ekonomisë, të arsimit, kulturës dhe punësimit”, ka shkruar Hasani.