Xhandarmëria serbe në kufi, Sveçla: Provokime serbe që do të dështojnë
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka theksuar se Serbia e ka shkelur Marrëveshjen për menaxhimin e përbashkët të pikave kufitare, duke iu referuar prezencës së katër pjesëtarë të xhandarmërisë serbe në stacionin policor kufitar në Merdarë.
“E kanë shkel vijën ndarëse me çka bëjnë shkelje të Marrëveshjes për menaxhimin e përbashkët të pikave kufitare. Nuk është hera e parë që ata bëjnë shkelje të kësaj marrëveshje, por shpresojmë të jetë e fundit. Ne patjetër që jemi të gatshëm me u ballafaqua më çdo shkelje të tyre dhe në të njëjtën kohë edhe t’i prezantojmë ato tek partnerët tanë si një dëshmi shtesë se si Serbia nuk është e gatshëm për të bashkëpunuar pavarësisht marrëveshjet të cilat ajo i ka nënshkruar”, ka theksuar ai.
Ministri Sveçla, ka thënë se është e qartë Kosova është e rrezikuar nga aspiratat hegjemoniste të Serbisë.
“I gjithë aparati i tyre shtetëror punon për të përmbushur qëllimet e tyre të cilat jo vetëm që janë të papranueshme për ne, por janë edhe kriminale në realitetin tonë. Në të njëjtën kohë, institucionet e Kosovës po forcohen çdo ditë që këto qëllime të Serbisë të zmbrapsen në çdo moment tash edhe në të ardhmen. Unë jam i bindur që këto provokime do të dështojnë. Patjetër vështirësojnë jetën e qytetarëve tanë posaçërisht të komunitetit serb, por ne jemi të aftë që të ballafaqohemi me çfarëdo sfide nga brenda apo jashtë”, ka deklaruar ministri i Brendshëm.
Policia e Kosovës të hënën në mbrëmje ka raportuar për një tjetër provokim nga Serbia. Policoa theksoi se rreth orës 18:20, pranë stacionit policor kufitar në Merdar, në anën serbe, është vërejtur një veturë e tipit Land Rover me targa serbe, e cila dyshohej të ishte në pronësi të xhandarmërisë serbe.
Sipas policisë, brenda kësaj veture gjendeshin katër pjesëtarë të xhandarmërisë serbe, të cilët qëndruan për rreth 10 minuta pranë hyrjes së objektit të palës serbe.
“Pasi qëndruan në këtë zonë, pjesëtarët e xhandarmërisë serbe u larguan duke shkelur vijën ndarëse kufitare, një veprim që përbën shkelje të marrëveshjes për Menaxhimin e Integruar të Kufirit (IBM)”, ka njoftuar policia. /rtk/