Demokratja Harris kryeson sondazhet ndaj republikanit Trump
Sondazhi i fundit i ”New York Times”/”Siena College” me 3 385 votues të mundshëm, i kryer nga 29 shtatori deri më 6 tetor, zbuloi se kandidatja për presidente, Kamala Harris kryeson ndaj republikanit Donald Trump me rezultatin në përqindje 49-46, një avantazh i lehtë që bie brenda kufirit të marzhit të gabimit të sondazhit.
Sipas sondazhit, votuesit kanë më shumë gjasa t’i japin më shumë meritat zëvendëspresidentes Harris sesa Trumpit për përfaqësimin e ndryshimit dhe kujdesin për njerëzit.
Është hera e parë që Harris kryeson ndaj Trumpit në sondazhin e NYT/SC që nga korriku, kur presidenti Biden u largua nga gara dhe demokratët u rreshtuan me Kamala Harris si zëvendësues të tij.
Kjo vjen ndërsa gara shkon në muajin e saj të fundit dhe sondazhet në shtetet e fushëbetejës tregojnë se gara është një nga më të barazpeshuarat në historinë moderne.
Ndërsa sondazhi i NYT/SC tregon disa epërsi të qëndrueshme për Trump, rezultatet sugjerojnë se Harris po fiton, qoftë edhe pak, në pyetjet që lidhen me temperamentin, besimin dhe ndryshimin që mund të jenë të rëndësishme në një garë presidenciale. /atsh