Prishtina-Liria luhet në Hajvali, thotë FFK
Komisioni i Garave i Superligës dhe Ligës së Parë me kohë ka njoftuar FC Prishtina se ndeshja e javës së 5-të në Albi Mall Superligë, ndërmjet FC Prishtina dhe FC Liria, nuk do të mund të zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri”, ngase menjëherë pas përfundimit të ndeshjeve të ekipeve kombëtare, FFK ka filluar me procesin e riparimit të fushës.
FFK, si zakonisht, i ka dalë në ndihmë FC Prishtina, duke ia vënë në dispozicion stadiumin me bari natyral në Kampin Nacional të FFK-së për zhvillimin e kësaj ndeshje, ashtu siç ka bërë edhe në ndeshjet e kaluara të këtij edicioni.
Andaj, Komisioni i Garave ka vendosur që ndeshja në fjalë të zhvillohet më 17 shtator, në orën 15:00, në Kampin Nacional në Hajvali.
Pas kësaj jave, sipas ekspertëve të fushës, përfundon faza e rikuperimit të fushes dhe do të mund të rifillojë zhvillimi i ndeshjeve të Superligës në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Prishtina – Liria, zhvillohet në “Fadil Vokrri”
Ndërkaq, FC Prishtina përmes një njoftimi, ka thënë se ndeshja Prishtina-Liria luhet në stadiumin ‘Fadil Vokrri’.
“FC Prishtina ka marrë njoftimin për orarin e zhvillimit të ndeshjes së javës së pestë të Albi Mall Superliga e Kosovës ndërmjet Prishtina – Liria që zhvillohet të dielën më 17 shtator nga ora 15:00. Pas këtij njoftimi, ne e kemi njoftuar me kohë sipas propozicioneve të garave, FFK-në, Policinë e Kosovës dhe të gjithë akterët tjerë që marrin pjesë në organizimin e ndeshjeve kampionale, se ndeshja zhvillohet sipas orarit në fushën tonë në stadiumin, “Fadil Vokrri”. Po ashtu kemi shtypur biletat dhe iu kemi përgjigjur kërkesës së skuadrës mysafire për prezencën e tifozerisë së tyre. Prishtina rikthehet në fushën e saj pas mirëkuptimit që fusha të ruhej për ndeshjet e Kosovës. Ftojmë tifozerinë tonë që numër sa më të madh të jetë në përkrahje të klubit të zemrës. Çmimi i biletave është 3 euro në tribunën perëndimore, 2 euro në tribunën lindore dhe 1 euro në tribunën veriore, ndërsa tribuna jugore është e rezervuar për adhuruesit tanë, ‘Plisat’”, thuhet në njoftimin e FC Prishtinës.