FFK gjobitet 61 mijë euro për ndeshjen me Rumaninë
Incidentet e shumta gjatë ndeshjes së muajit të kaluar midis Kosovës dhe Rumanisë i kanë kushtuar Federatës së Futbollit të Kosovës një gjobë prej 61 mijë eurosh.
Shkeljet përfshinin hyrjen e shikuesve në fushë, hedhjen e gjësendeve, ndezjen e fishekzjarrëve, fishkëllimat gjatë himnit të Rumanisë dhe bllokimin e rrugëve publike përreth stadiumit.
Ndeshja e zhvilluar më 6 shtator në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë në kuadër të Ligës së Kombeve kishte përfunduar me fitoren e Rumanisë me rezultat 3-0.
Ka disa herë që Kosova dhe Rumania ndeshen në garat ndërkombëtare dhe disa herë ndeshjet janë shoqëruar me incidente. Herën e fundit Federata e Futbollit e Rumanisë, lidhur me ndeshjen kualifikuese për Euro 2024 kundër Kosovës, pas një hetimi për disa shkelje ishte gjobitur me 52 mijë euro, si dhe ishte dënuar me një ndeshje pa tifozë të përgjithshëm nga UEFA.