Berisha: Beteja e nisur sot në Kuvend ndalet vetëm me fitoren e opozitës
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha përshëndeti mbrëmjen e sotme deputetët e kësaj partie, të cilët sipas tij, nisën sot në sallën e parlamentit betejën e pandalshme që ndalet vetëm me fitoren e opozitës.
Deputetët e opozitës, sipas Berishës, “u thanë kriminelëve me pushtet, Edi Ramës në parlament, në qeveri në prokurori dhe gjykata e kudo që janë, se është radha jonë dhe se forcë në botë nuk ka që të na ndalë ne pa realizuar qëllimet tona”.
Berisha u ndal në fjalën e tij para mbështetësve të mbledhur poshtë ballkonit të shtëpisë së tij ndërsa ish-Kryeministri ndodhet në arrest shtëpie nën akuzë nga SPAK, edhe tek kjo akuzë.
“Me vullnetin e lig antishqiptar për të mposhtur dhe rrënuar një komb, akuzuan Sali Berishën për korrupsion paçka se dëshmia e vetme dolën 400 metra katrorë tokë të Jamarbër Malltezit, pasardhës i familjes së katërt më të pasur të Shqipërisë”, u shpreh Berisha.
Ai bëri thirrje për qytetarët të bashkohen në këtë betejë që e cilësoi vendimtare.
Miqtë e mi, shqiptarë kudo që jeni, të bashkohemi në këtë betejë vendimtare.
“Sot nisi beteja, radha është e jona, është radha e shqiptarëve, është radha e guximtarëve, është radha e atdhetarëve”, tha Berisha.
Deputetë të opozitës bllokuan sot seancën plenare ndërsa nxorrën jashtë karriget e tyre dhe iu vunë flakën. /atsh