Deputetë të opozitës në Shqipëri djegin ulëset, pas dënimit të deputetit të PD-së

Deputetë të opozitës në Shqipëri djegin ulëset, pas dënimit të deputetit të PD-së

Deputetë të opozitës në Kuvendin e Shqipërisë nxorrën jashtë sallës karriget e tyre dhe u vunë flakën. Ky veprim erdhi pasi Partia opozitare Demokratike vendosi se, pas dënimit të deputetit Ervin Salianji, nuk do të mbajë marrëdhënie normale me qeverinë e drejtuar nga Partia Socialiste.

Në fillim të seancës, kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, njoftoi ndërprerjen e mandatit për deputetin Ervin Salianji, pas dënimit nga Gjykata e Apelit me një një vit burgim për akuzën “kallëzim i rremë”.

Apeli la në fuqi vendimin që kishte dhënë Gjykata e Shkallës së Parë, për rastin e një audio-përgjimi, ku pretendohej se vëllai i ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, ishte përfshirë në trafikim droge.

Sipas prokurorisë, biseda ishte e sajuar dhe Salianji ishte përfshirë në “krijimin e provave të rreme për të dëmtuar politikisht ministrin Fatmir Xhafaj”.

Pas këtij njoftimi, deputetët e opozitës bllokuan foltoren dhe më pas i nxorrën karriget e tyre para objektit të Kuvendit, ku u vunë flakën.

Të pyetur nga gazetarët nëse ky veprim nënkupton djegien e mandateve, kreu i grupit të deputetëve të PD-së, Gazmend Bardhi, tha se kjo nuk do të ndodhë.

“Rama ka djegur parlamentin, ndërsa ne dorëzojmë karriget tona dhe i djegim. Djegien e mandateve e bëri kush e bëri dhe ishte shmangie nga beteja. Ne nuk shmangemi nga beteja, do na kenë përballë në çdo moment që tentojnë t’i mbyllin gojën opozitës,” tha ai.

Share This