Ramadani, Sveçlës: Listës Serbe ia dhatë 360 mijë euro tri muaj pas Banjskës, KQZ-ja me partinë tënde
Njohësi i çështjeve të sigurisë, Burim Ramadani, i është kundërpërgjigjur ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçlës, pas një interviste kur ky i fundit ka folur për përfshirjen e Listës Serbe prej sulmit paraushtarak në Banjskë e deri të dhuna ndaj ushtarëve të KFOR-it.
Ramadani e ka filluar kundërpërgjigjen me një pyetje: “Shumë më intereson nëse këto informacione zyrtare ministri Sveçla ia ka dërguar edhe KQZ-së bre?”.
“Pajtohem me ministrin Sveçla kur thotë se ‘Lista Serbe dhe Serbia është dashur të sanksionohen nga ndërkombëtarët’. Absolutisht ka të drejtë. Edhe për dhunën ndaj ushtarëve të KFOR më 29 maj 2023, edhe për rastin e sulmit në Banjskë, më 24 shtator 2023. Por, shumë më intereson nëse këto informacione zyrtare ministri Sveçla ia ka dërguar edhe KQZ-së bre? A thua KQZ-ja nuk ka marrë të informata nga MPB, dmth nga Sveçla, për rolin e Listës Serbe në këto raste të rrezikimit direkt të sigurisë sonë kombëtare? I dashur ministër, fol bre edhe njëherë me KQZ-në. Dërgoji informacione zyrtare! Është detyrë Kushtetuese e jotja! Amaneti nuk është patetizëm, por kryerje e obligimeve Kushtetuese! Më mirë vonë se kurrë! Mos harro se 360 mijë euro KQZ-ja (duke përfshirë edhe partinë tënde, por jo vetëm!) ia ka ndarë Listës Serbe rrafsh 3 muaj e gjysmë pas sulmit terrorist në Bansjkë!”, ka njoftuar Ramadani në “Facebook”.