Sulm masiv në Bejrut
Një mori shpërthimesh kanë tronditur Bejrutin, kryeqytetin e Libanit nga raketat e shkrepura nga ushtria izraelite e cila ka thënë se në shënjestër kishte Shtabin e Përgjithshëm të Hezbollahut.
Megjithatë Danny Danon, ambasadori izraelit në OKB nuk e ka konfirmuar nëse Hassan Nasrallah, lideri i Hezbollahut ishte në takimin e, siç e ka quajtur “njerëzve të këqinj” në Bejrut.
Të paktën dy persona kanë vdekur e 76 janë lënduar, kanë thënë zyrtarët libanez.
Ndërsa zëdhënësja e Pentagonit, Sabrina Singh, ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kanë qenë të përfshira e nuk ka pasur informata paraprake për këtë sulm.
Kryeministri i Izraelit Benjamin Netanjahu është zotuar për vazhdimin e luftës kundër Hezbollahut derisa liderëve botëror që janë mbledhur në selinë e OKB-s u ka thënë se “Ne po fitojmë”.
Ndërsa Mbretëria e Bashkuar, ministria e punëve të jashtme, në mbrëmjen e së premtes ka kërkuar nga qytetarët britanik që menjëherë të largohen nga Libani.
Nga e hëna kur Izraeli nisi sulmet ndaj Libanit janë vrarë 800 persona. Izraeli ka thënë se qëllim ka eliminimin e kërcënimit që i vjen nga Hezbollahu dhe kthimin e të zhvendosurve nga veriu i Izraelit ndërsa Hezbollahu po vepron në solidaritet me Palestinezët në Rripin e Gazës. /rtk/