Dy miliardë euro shpenzime, Pep Guardiola pa rivalë, në podium Mourinho dhe Ancelotti
Pep Guardiola është trajneri që gjatë karrierës së tij të shkëlqyer ka bërë që klubet e tij të shpenzojnë shumë para. Fillimisht te Barcelona, më pas te Bayerni dhe tani te Manchester City.
Askush në historinë e futbollit nuk ka shpenzuar ndonjëherë kaq shumë para për blerjen e lojtarëve të rinj sa klubet që kishin trajner Guardiolën: gati dy miliardë euro.
Këtë verë, për të forcuar skuadrën që korri sukses të trefishtë, Guardiola kërkoi (dhe iu siguruan nga klubi) përforcime të shkëlqyera, si Mateo Kovacic dhe Josko Gvardiol.
Vetëm në stadiumin “Etihad”, ku zbarkoi në vitin 2016, trajneri katalanas ka investuar mbi një miliard euro për blerjen e 50 lojtarëve. Por edhe në të kaluarën ai nuk i ka kursyer asnjëherë shpenzimet, siç konfirmohet nga blerja e Zlatan Ibrahimovicit, kur ishte në pankinën e “Blaugranave” (mbi 70 milionë) apo e Arturo Vidal (42 milionë) te Bayerni.
Pas Guardiolës, por me një karrierë më të gjatë, qëndron José Mourinho, me rreth 100 milionë më pak të shpenzuara për blerjen e futbollistëve.
Një hendek ky i justifikuar nga vitet e fundit të “Special One”, i cili si te Tottenhami ashtu edhe te Roma duhej të reduktonte ndjeshëm kërkesat e tij.
Kohët kur Mourinho ishte në stolin e Manchester United dhe klubi anglez blinte Paul Pogbanë dhe Romelu Lukakun duken të largëta.
Në shkallën më të ulët të podiumit është Carlo Ancelotti (1.5 miliardë të shpenzuar), i cili krenohet me një karrierë edhe më të gjatë dhe më të ndritur, në top-klubet evropiane, nga PSG te Bayern e deri te Reali i Madridit.
Gjatë merkatos së verës, Jude Bellingham u transferua në “Bernabeu” për shumën rekord prej 130 milionë eurosh. /SS/