Anëtarësimi në BE, sinjal shprese për vendet e tjera të rajonit
Pas ndarjes së procesit të anëtarësimit në BE për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, për Shqipërinë nis pjesa më e vështirë, shqyrtimi i kapitujve për zbatimin e ligjit dhe korrupsionin.
Rrugëtimi i Shqipërisë drejt Bashkimit Europian do të vijojë veçmas nga Maqedonia e Veriut. Përmes një vote unanime, ambasadorët e Bashkimit Europian vendosën për ndarjen e procesit të anëtarësimit për të dyja shtetet e Ballkanit Perëndimor, “fati” i të cilave u bashkua dy vite më parë, me fillimin e negociatave zyrtare me Unionin, por që ngeli në vendnumëro për shkak të mosmarrëveshjeve historike mes Sofjes dhe Shkupit.
Por duket se tashmë për Shqipërinë nis pjesa më e vështirë: hapja e kapitujve që lidhen me temat më problematike, nga të cilat vendi ka lënguar gjatë të gjithë viteve të demokracisë, siç janë mungesa e zbatimit të ligjit dhe korrupsioni.
Pjesa më e vështirë
Ambasadori gjerman në Shqipëri, Karl Bergner, tha në një prononcim për Deutsche Welle se ndarja me Maqedoninë e Veriut ishte vendosur kohë më parë por u finalizua gjatë votimit të 25 shtatorit.
“Është një sinjal i mirë, sepse na lejon që të angazhohemi më në brendësi me qeverinë shqiptare, për të diskutuar çështje me rëndësi. Dhe të parat çështje të rëndësishme për t’u diskutuar janë sundimi i ligjit, qeverisja e mirë dhe lufta kundër korrupsionit. Këto janë çështje të ndërlidhura, të cilat kërkojnë bashkëpunimin e shumë institucioneve dhe prekin të gjitha fushat e tjera si zhvillimi ekonomik, zhvillimi mjedisor etj. Kështu që ky është grupi i kapitujve që zakonisht hapet i pari, por mbyllet i fundit”, tha Bergner.
Sipas diplomatit gjerman qëllimi kryesor i gjithë këtij procesi është përmirësimi i kushteve të jetesës për shqiptarët, duke mbështetur një proces transformues që mund ta çojë Shqipërinë drejt Evropës. “Ashtu siç kërkonin studentët shqiptarë në demonstratat e tyre në vitet ’90: Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa”. – tha Berger.
Sinjal shprese për vendet e tjera të rajonit
Ambasadori gjerman theksoi se hapja e negociatave me Shqipërinë është një sinjal shprese për vendet e tjera të rajonit, se Bashkimi Europian dhe shtete anëtare të tij e marrin seriozisht procesin e anëtarësimit, edhe nëse jo të gjithë përfitojnë në të njëjtën kohë.
Gjatë dy viteve të fundit, kryeministri Edi Rama fajësonte Bullgarinë për bllokimin e vendit, duke i kërkuar në mënyrë diplomatike por edhe me batuta në takimet me ndërkombëtarët, pengimin e padrejtë që po i bëhej sipas tij, Shqipërisë.
Në Shqipëri, pakica bullgare u njoh me ligj në vitin 2017. Në censin e vitit 2023, i pari pas njohjes së bullgarëve si pakicë, bullgarët përgjysmuan numrin e banorëve të vetëdeklaruar maqedonas në territorin shqiptar.
Më 18 tetor të këtij viti do të mbahet Konferenca e dytë Ndërqeveritare mes Bashkimit Europian dhe Shqipërisë, konferencë e thirrur nga presidenca hungareze. /DW