Redaksitë e “Enciklopedisë shqiptare” takohen në Prishtinë
Në Prishtinë u zhvillua takimi i redaksive të fushës “komunikim dhe mjete të komunikimit” për hartimin e fjalësit të njësuar.
Në takim mori pjesë edhe zëvendëskryeredaktori i “Enciklopedisë shqiptare” akad. Mehmet Kraja. Ai vlerësoi punën e bërë nga dy redaksitë dhe paraqiti disa sugjerime për të përmbyllur me sukses fazën e parë të hartimit të kësaj vepre të madhe.
Akademik Kraja theksoi se “Enciklopedia” jonë do të jetë enciklopedi kombëtare për vlerat më të mira që kanë dhe kanë krijuar shqiptarët në historinë e tyre.
Përgjegjësi i redaksisë së Kosovës, Binak Kelmendi dhe përgjegjësi i redaksisë së Tiranës, Naim Zoto, si dhe prof. dr. Valbona Toska (nga redaksia e posaçme për trashëgiminë shqiptare në Maqedoninë e Veriut) informuan për punën e redaksive dhe problematikat e evidentuara. Anëtarët e këtyre redaksive dhanë mendime sidomos në lidhje me kriteret për përfshirje dhe proporcionet strukturore mes artikujve.
U konkludua që koha deri në fund të shtatorit duhet të shfrytëzohet që lista e përbashkët e artikujve të rishihet edhe një herë për të reflektuar vërejtjet e apo sugjerimet gjatë kësaj konsulte ballafaquese.
Ky projekt i përbashkët i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës mbështetet dhe bashkëfinancohet nga qeveria e Shqipërisë dhe e Kosovës.