Berisha: Nga ndërtimi i kullave kanë përfituar oligarkët, jo qytetarët
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha hodhi sot sërish akuza ndaj qeverisë.
Në fjalën e tij, para protestuesve që prej disa muajsh mblidhen pranë banesës së tij për të kundërshtuar arrestimin e tij, Berisha tha se nga kullat në Tiranë, kanë përfituar vetëm oligarkët, ndërsa qytetarët e thjeshtë janë dëmtuar.
Berisha u shpreh se pretendimet për rritje ekonomike gjatë viteve të fundit janë të pavërteta, pasi ato nuk reflektohen në mirëqenien e qytetarëve.
Kryetari i PD u shpreh se megjithëse qeveria mburret me rritjen e rrogave, ato mbeten ende më të ulëtat në rajon, dhe kjo tregon se rritja ekonomike nuk ka përmirësuar gjendjen e qytetarëve.
Berisha foli për mungesë të investimeve të reja gjatë 11 viteve të fundit, duke thënë se projektet e mëdha si TAP dhe HEC-et ishin trashëgimi nga qeveria e tij. Ai gjithashtu përmendi rënien e cilësisë në arsim dhe shëndetësi, duke thënë se dyfishimi i GDP-së nuk është reflektuar në përmirësimin e këtyre sektorëve, por përkundrazi ka ndikuar negativisht në jetën e qytetarëve. /atsh