Trepça e nis me fitore ndaj Golden Eagle Yllit
Trepça e ka nisur mbarë përpjekjen për të mbrojtur titullin e ProCredit Superligës.
Skuadra nga Mitrovica të mërkurën në ndeshjen e parë të këtij edicioni e ka mposhtur nënkampionin Golden Eagle Yllin me rezultat 77:67.
Vendasit e kanë nisur ndeshjen shumë mirë, duke bërë që në një moment rezultati të jetë 16:2, por skuadra mysafire është këndellur dhe çereku i parë ka përfunduar me shifrat 23:17.
Trepça ia ka arritur ta ruajë epërsinë edhe gjatë periudhës së dytë, duke shkuar në pushim me rezultat 44:33.
Vendasit e kanë vazhduarn dominimin në çerekun e tretë, duke krijuar një epërsi deri në gjashtëmbëdhjetë pikë, 59:43.
Megjithëse Ylli ka tentuar një rikthim në dhjetë minutat e fundit, nuk ia ka dalë ta përmbysë rezultatin.
Më i miri për Trepçën ka qenë Desmond Cambridge Jr, i cili ka shënuar njëzet pikë dhe ka regjistruar tetë kërcime.
Nga ana tjetër, për Yllin, Terrell Brown ka shkëlqyer me tridhjetë e pesë pikë dhe nëntë kërcime, por përpjekjet e tij nuk kanë qenë mjaftueshme për të siguruar fitoren.