Hoti i sheh me shqetësim mesazhet e aleatëve: Kosova mund të përjashtohet nga Procesi i Berlinit dhe CEFTA
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se secili qytetar apo përfaqësues i partive politike duhet të shqetësohen nga “mesazhet shqetësuese” për Kosovën nga aleatët kryesorë.
“Mesazhet shqetësuese për Kosovën nga aleatët kryesorë, në veçanti nga SHBA-ja, Gjermania dhe Franca, duhet ta shqetësojnë secilin qytetar dhe secilin përfaqësues të partive politike, pozitë dhe opozitë.”
Hoti ka thënë se Kosova mund të përjashtohet nga Procesi i Berlinit.
“1. Kosova mund të përjashtohet nga Procesi i Berlinit, i cili është mekanizmi formal i përgatitjes së vendeve të Ballkanit Perëndimor për anëtarësim në BE, për të cilin proces qeveritë e kaluara kanë punuar shumë, me pasoja tepër të mëdha në dinamikën e integrimit evropian dhe pjesëmarrjen në planin e rritjes të BE-së për Ballkanin Perëndimor.”
Ai ka shtuar se Kosovës mund t’i vazhdohen sanksionet nga BE dhe se mund të përjashtohet nga CEFTA.
“2. Kosovës mund t’i vazhdohen sanksionet nga BE-ja, me pasoja prej qindra miliona euro në projekte të energjetikës, ujësjellësit, infrastrukturës etj. Kosova mund të përjashtohet nga CEFTA, me pasoja të mëdha në importe dhe eksporte të Kosovës, duke rënduar koston e shumë mallrave të konsumit për qytetarë dhe shtrenjtuar eksportet e Kosovës në tregjet rajonale.”
Ai ka përmendur marrëveshjet që Serbia ka nënshkruar me SHBA’në, Gjermaninë e Francën.
“Të tre këta aleatë, të cilët garantojnë sovranitetin e Kosovës përmes trupave të tyre në KFOR krahas vendeve të tjera të NATO-s, kanë hyrë në marrëveshje strategjike me Serbinë: SHBA-ja për energjetikë, Gjermania për litium dhe Franca për aeroplanë ushtarak.”
Hoti ka shtruar disa pyetje.
“Si u bë që në fund të qeverisjes 4-vjeçare të kemi këtë situatë?! Si u bë që dialogu i nisur për njohje reciproke të përfundojë në dialog për asociacionin?! Si u bë që kërkesat e krerëve të shteteve aleate drejtuar Kosovës dhe Serbisë për angazhim në dialog për njohje reciproke, të ndryshojnë në kërkesa për themelim urgjent të asociacionit?!”
Në fund Hoti ka thënë se dihet përgjegjësi për këtë situatë dhe se përgjigjen qytetarët duhet ta japin në zgjedhjet e 9 shkurtit.
“Përgjegjësi për këtë situatë të krijuar dihet. Përgjigjen duhet ta japin qytetarët në procesin demokratik të ardhshëm.” /EO/