Koci flet pas shtyrjes së seancës: 42 të arratisurit për sulmin në Banjskë janë në ‘Red Notice’ të Interpol-it
Seanca fillestare e cila ka nisur të mërkurën në kuadër të rastit të Banjskës, është shtyrë për 9 tetor.
Shtyrja e kësaj seance është vendosur pasi avokatët e të akuzuarve, Dushan Maksimoviq, Vladimir Toliq dhe Blagoje Spasojeviq, kanë kërkuar më shumë kohë për të lexuar shkresën e lëndës si dhe provat e prokurorisë.
Ndërsa pas përfundimit të kësaj seance, para mediave është deklaruar avokati Arianit Koci, që është avokat mbrojtës i familjes së policit të rënë në detyrë natën kritike, Afrim Bunjaku.
Koci ka thënë se ky gjykim është mjaftë kompleks dhe me pasoja të rënda për vetë palët e dëmtuara.
Ai ka thënë se kanë interes që sa më shpejt të përfundojë ky proces.
“Jam përfaqësues i familjes së policit të ndjerë Afrim Bunjaku. Ne kemi interes që sa më shpejt të kryhet ky proces, për shkak se drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar, por nuk guxojmë të bëjmë asnjë gabim procedural në mënyrë që Gjykata e Apelit mos ta kthen në rigjykim pra”, ka thënë Koci.
Gjithashtu, Arianit Koci ka thënë se sulmi që ka ndodhur në Banjskë, ka mundur të ketë pasoja të rënda për vetë rendin kushtetues të Kosovës.
“I kemi 42 persona që janë në arrati. Lajmi i mirë është që janë në ‘Red Notice’ të Interpol-it dhe asnjëri prej tyre nuk mund ta lëshojë Serbisë, sepse mund të arrestohen”, ka thënë Koci, duke shtuar se mbrojtja i ka pasur disa kërkesa rreth printimit të dokumenteve.