SHBA ndihmë ushtarake prej 375 milionë dollarësh për Ukrainën
Shtetet e Bashkuara do t`i dërgojnë Ukrainës bomba thërrmuese me rreze të mesme veprimi, një sërë raketash, artileri dhe automjete të blinduara si pjesë e një pakete ndihme ushtarake prej rreth 375 milionë dollarësh, thanë zyrtarët amerikanë të martën.
Zyrtarët presin që njoftimi të bëhet publik të mërkurën, ndërsa udhëheqësit botërore mblidhen në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së dhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy pritet të shfrytëzojë takimin për të nxitur mbështetjen ndaj Ukrainës dhe për të bindur Shtetet e Bashkuara që të lejojë trupat e saj të përdorin armë me rreze të gjatë për të goditur në thellësi të Rusisë.
Të enjten, presidenti Zelenskyy takohet me presidentin Joe Biden dhe nënpresidenten Kamala Harris në Washington.
Ndihma përfshin bomba ajër-tokë, të cilat kanë municione thërrmuese dhe mund të lëshohen nga avionët luftarakë të Ukrainës, si dhe municione për sistemet raketore HIMARS, Javelin dhe sisteme të tjera anti-tank, pajisje ushtarake dhe ndihma të tjera, sipas zyrtarëve.
Zyrtarët amerikanë folën në kushte anonimiteti sepse ndihma ende nuk është njoftuar publikisht.
Duke përfshirë paketën e fundit, Shtetet e Bashkuara kanë dhënë më shumë se 56.2 miliardë dollarë ndihmë ushtarake për Ukrainën që nga fillimi i sulmit në shkallë të gjerë të Rusisë kundër saj, në shkurt të vitit 2022. /VOA