I bënë të besonin se po flisnin me Brad Pitt, mashtruesit u marrin 325 mijë euro dy grave
Pesë persona kanë përfunduar në prangat e policisë së Spanjës, pasi pretendonin se ishin ylli i Hollywood-it, Brad Pitt, në profilet e tyre të rreme në rrjetet sociale. Ata kishin mashtruar dy gra dhe u morën 325 mijë euro.
“Të arrestuarit kontaktuan gratë nga një faqe e fansave të aktorit fitues të çmimit Oscar dhe i bënë të besonin se kishin një marrëdhënie emocionale me të”, tha në një deklaratë Garda Civile spanjolle.
Mediat e huaja shkruajnë se duke u paraqitur si aktori i famshëm, anëtarët e bandës më pas dyshohet se i inkurajonin gratë që të investonin në projekte të ndryshme, të cilat në fakt nuk ekzistonin.
Një gruaje, nga rajoni jugor i Andaluzisë iu morën 175,000 euro, ndërsa tjetra, nga shteti verior i Baskëve humbi 150,000 euro.
“Kriminelët kibernetikë, për të kapur viktimat, kishin studiuar rrjetet e tyre sociale dhe kishin analizuar profilin e tyre psikologjik duke zbuluar se bëhet fjalë për dy persona vulnerabël pa afeksion dhe në gjendje depresioni”, nënvizoi policia.
Ata përdorën gjithashtu platforma mesazhesh dhe e-mail për të kontaktuar dy gratë që arritën aq larg sa ta besonin se po bisedonin në “WhatsApp” me vetë Pitt, ndërsa mashtruesit nga ana tjetër e kompjuterit u premtonin atyre romancë dhe një të ardhme së bashku.
Pesë mashtruesit u arrestuan nga policia në rajonin jugor të Andaluzisë dhe mes tyre ndodhet edhe “truri” i rrjetit kriminal.
Policia bastisi pesë shtëpi, duke sekuestruar disa telefona celularë, karta bankare, dy kompjuterë dhe një ditar “i cili përmbante fraza të përdorura nga mashtruesit për të mashtruar viktimat e tyre”. Ata po ashtu arritën të rikuperojnë 85 mijë euro.