FT: Kurti sfidon presionin perëndimor për kompromis me Serbinë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se Kosova do t’u rezistojë presioneve ndërkombëtare për kompromise me Serbinë.
Kryeministri Albin Kurti në një intervistë për ‘Financial Times’ ka theksuar se është hequr ndikimi i Beogradit në disa aspekte të jetës në Kosovë. Sipas tij, veprimet e Qeverisë së Kosovës nuk janë kundër serbëve, por kundër aktiviteteve ilegale të Serbisë në Kosovë.
‘Finanacial Time’, shkruan se fuqitë perëndimore kanë shprehur shqetësime për “veprime të njëanshme” të Kosovës. Megjithatë, Kurti ka theksuar se zgjidhja e çështjeve brenda Kosovës është çështje e brendshme dhe se “nuk ka sfida të sigurisë që nuk mund t’i menaxhojmë apo kontrollojmë”.
Duke folur për mbylljen e zyrave të Postës së Serbisë në veri të Kosovës muajin e shkuar, Kurti ka thënë se aty kryheshin aktivitete ilegale si falsifikimi i dokumenteve.
Duke folur për Urën e Ibrit, Kurti ka thënë se Kosova dëshiron urë normale.
“Duam urë normale. Urë normale është ura e hapur; të vetmit ata që shijojnë urë të mbyllur janë ata që ende ëndërrojnë për ndarjen e Kosovës”, ka thënë ai. “Evropa i ka shembur muret. Nuk është në rregull të insistohet në urë të mbyllur”, ka theksuar Kurti.
Kurti ka mohuar që veprimet e tij në veri janë për vota.
Kreu i Qeverisë ka thënë se dialogu duhet të fokusohet në sovranitetin e Kosovës. Kurti ka theksuar se ekzekutivi i ri i Bashkimit Evropian duhet të fokusohet në rolin agresiv të Serbisë në Ballkan dhe jo që të zbusë raportet.
Kurti ka folur edhe për çështjen e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, për të cilën ka theksuar se është pajtuar në marrëveshjen e fundit Ohër-Bruksel e për të cilën ka një presion të madh nga faktori ndërkombëtar për ta themeluar.
Gjithashtu Asociacion kërkohet me ngulm edhe nga Beogradi zyrtar.
Megjithatë Kurti ka thënë se s’mund të ketë një super minoritet serb në Kosovë ashtu siç dëshiron Beogradi.
“Unë nuk dua që askush të jetë i privilegjuar, gjithashtu s’dua që askush të jetë i diskriminuar. S’mund të ketë super-minoritet siç dëshiron Beogradi”, ka thënë Kurti për Financial Times.
Në intervistën dhënë për gazetën amerikane Financial Times, kryeministri Kurti, ka folur edhe për raportet me SHBA-në dhe mundësisë së rikthimit të Donald Trumpit në Shtëpinë e Bardhë si president.
Ai ka thënë se do të punonte me këdo që do ta merrte Shtëpinë e Bardhë, duke theksuar se Kosova ka pasur gjuhë të përbashkët me administratën e ish-presidentit Donald Trump, raporton rtk.