Lajme të mira për Giroud, por Pioli humb edhe një mbrojtës para derbit
Lajme të mira nga infermieri për Stefano Piolin, pasi Olivier Giroud duket se ia ka dalë të rikuperohet dhe të jenë në dispozicion të trajnerit për derbin e të shtunës ndaj Interit.
Pas disa ditësh stërvitjeje të diferencuar, sulmuesi francez ka marrë dritën jeshile për t’u bashkuar me grupin që nesër dhe për të qenë titullar ndaj formacionit zikaltër.
Ndërkohë të gjithë futbollistët e tjerë të Milanit, që kanë qenë të angazhuar me kombëtaret përkatëse nuk kanë pasur asnjë shqetësim apo lëndim, me përjashtim të Pierre Kalulu.
Mbrojtësi francez me shumë gjasa do të ndjekë derbin nga tribuna, bashkë me Fikayo Tomorin e pezulluar, teksa titullarë pritet të jenë Thiaw dhe Simon Kjaer.
Për pjesën tjetër të formacionit, pritet që Pioli të konfirmojë të njëjtët futbollistë me të cilët ka luajtur edhe tri sfidat e para të kampionatit.