Libani: Të paktën 500 të vdekur në valën e sulmeve ajrore izraelite
Të paktën 500 persona janë vrarë dhe më shumë se 1 600 të tjerë janë plagosur në të gjithë Libanin jugor dhe lindor, tha sot Ministria e Shëndetësisë në Bejrut, mes valës më vdekjeprurëse të sulmeve ajrore izraelite kundër milicisë së Hezbollahut të lidhur me Iranin në dekada.
Ndërsa lufta në Gazë po i afrohet përvjetorit të saj të parë, duket se ka mbërritur përshkallëzimi i shumëpritur i konfliktit në Lindjen e Mesme, me autoritetet libaneze që raportuan të paktën 492 njerëz të vdekur, përfshirë 35 fëmijë dhe 1 645 të tjerë të plagosur.
Misioni i OKB-së në Liban ka shprehur shqetësimin lidhur me konfliktin.
Ndërsa numri i të vdekurve nga sulmet izraelite vazhdon të rritet, misioni i Kombeve të Bashkuara në Liban bëri thirrje për shmangien e përshkallëzimit dhe mbrojtjen e jetëve të civilëve.
Në një deklaratë, Forcat e Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Liban (UNIFIL) shprehën shqetësim të madh për sigurinë e civilëve në Libanin jugor – mes fushatës më intensive të bombardimeve izraelite që nga tetori i kaluar.
“Sulmet ndaj civilëve nuk janë vetëm shkelje të së drejtës ndërkombëtare, por mund të përbëjnë krime lufte”, shtoi UNIFIL. /ATSH/