Ambasadorët e vendeve që kanë ushtarë në KFOR mblidhen në “Film City”, shkak siguria në Kosovë
Ambasadorët e vendeve që kanë ushtarë në KFOR mblidhen në “Film City”, shkak siguria në Kosovë.
Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Ozkan Ulutash, i ka pritur sot në Shtabin e KFOR-it në kampin Film City, ambasadorët dhe shefat e misioneve nga 28 vendet aleate dhe partnere që kontribuojnë me trupa në KFOR.
Kjo u bë e ditur përmes një njoftimi nga Misioni i KFOR-it në Kosovë, transmeton Klankosova.tv
“Diskutimi u fokusua në një sërë temash, duke përfshirë situatën e sigurisë, aktivitetet aktuale të KFOR-it dhe bashkëpunimin e KFOR-it me komunitetin më të gjerë ndërkombëtar”, thuhet në komunikatë.
Ulutash foli rreth takimit që u mbajt në “Film City”.
“Ky takim është një tjetër demonstrim i prekshëm i përkushtimit tonë kolektiv dhe të palëkundur drejt sigurisë së qëndrueshme për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe stabilitetit rajonal”, tha ai.
KFOR-i thekson si zakonisht se vazhdon ta përmbushë mandatin e tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999 – për të kontribuar për “një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme”.