Sveçla: Goditet edhe një laborator i drogës i llojit kokainë në Prishtinë
Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se është shkatërruar një laborator i kokainës në Prishtinë. Sveçla ka thënë se laboratori i zbuluar sot është i 19-i i shkatërruar në tri vjetët e fundit.
“Këtij fenomeni i kemi shpallur luftë që nga marrja e mandatit dhe kemi qenë të pakompromis në këtë drejtim. Laboratori i sotëm është i 19-ti i shkatërruar në tri vitet e fundit, 40 grupe kriminale që janë marrur me këtë veprimtari janë shkatërruar e janë sekuestruar mbi 2.500 kilogramë sasi të llojeve të ndryshme të drogave”, ka shkruar Sveçla në ‘Facebook’.
Sipas tij, kjo betejë do të vazhdojë dhe askush nuk do të jetë i paprekshëm e i fuqishëm para ligjit.
“Ky fenomen që rrezikon jetën e fëmijëve e rinisë sonë dhe që shkatërron harmoninë në familjet e vendit tonë, do të goditet në vazhdimësi dhe pa mëshirë nga ana jonë. Të gjithë kriminelëve, të të gjitha ngjyrave, i’u them që nuk ka hapësirë për veprimtarinë e tyre kriminale në Kosovë. Prapa hekurave është vendi për ta”, tha ai.