Sundimi i ligjit, temë diskutimi mes Konjufcës dhe shefit të EULEX-it
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur sot në takim shefin e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit, EULEX, Giovanni Pietro Barbano.
Në takim u diskutuan çështje të bashkëpunimit midis Republikës së Kosovës dhe EULEX-it, sa i përket fushës së sundimit të ligjit, nga perspektiva e aktualitetit dhe synimeve të përbashkëta për ligjshmëri të kudogjendur, demokraci vibrante dhe stabilitet afatgjatë.
Bashkëbiseduesit theksuan gatishmërinë e tyre për bashkëpunim të vazhdueshëm e gjithnjë e më substancial, me qëllimin përparimin gjithnjë e më të madh në drejtim të sundimit të ligjit.
Kryetari Konjufca e falënderoi Giovannin Pietro Barbano për vizitën, duke e vlerësuar kontributin e Misionit të BE-së në Kosovë.
Ai u shpreh se ky kontribut i ka dhënë efektet e tij edhe në kapacitetet e Republikës së Kosovës për t’u përballur me të gjitha sfidat që gjenden përpara.
Shefi i EULEX-it, Giovanni Pietro Barbano, e falënderoi kryetarin Konjufca për pritjen, duke shprehur gatishmëri dhe angazhimin për bashkëpunim gjithnjë e më të thellë në drejtim të sundimit të ligjit.