Blinken mbërrin në Egjipt për bisedimet e armëpushimit në Gaza
Sekretari i Shtetit të ShBA-së, Antony Blinken mbërriti në Kajro për t’u takuar me zyrtarë të lartë egjiptianë për të diskutuar dhe nxitur një armëpushim të mundshëm në Gaza.
Ky është udhëtimi i 10-të i sekretarit amerikan Blinken në Lindjen e Mesme që kur Izraeli nisi sulmet në Rripin e Gazës më 7 tetor.
Departamenti i Shtetit njoftoi se Blinken do të bashkëkryesojë hapjen e dialogut strategjik ShBA-Egjipt me ministrin e Jashtëm egjiptian Badr Abdelatty.
“Blinken do të takohet me zyrtarët egjiptianë për të diskutuar përpjekjet e vazhdueshme për të arritur një armëpushim në Gaza që siguron lirimin e të gjithë pengjeve, zbut vuajtjet e popullit palestinez dhe ndihmon në vendosjen e sigurisë më të gjerë rajonale”, thuhet në deklaratë.
ShBA-ja, Katari dhe Egjipti po ndërmjetësojnë bisedimet midis Izraelit dhe Hamasit për të siguruar një shkëmbim të burgosurish dhe armëpushim dhe për të lejuar hyrjen e ndihmave humanitare në Gaza. Por, përpjekjet e ndërmjetësimit kanë ngecur për shkak të refuzimit të Izraelit për të përmbushur kërkesat e Hamasit për t’i dhënë fund luftës.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu këmbëngul në ruajtjen e kontrollit mbi zonën e “Korridorit të Filadelfit” në kufirin Gaza-Egjipt, të cilin Kajro dhe Hamasi e kanë kundërshtuar me forcë.
Që nga fillimi i sulmeve izraelite në Gaza, më shumë se 41.200 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, janë vrarë dhe më shumë se 95.400 janë plagosur.
Sulmet izraelite kanë zhvendosur pothuajse të gjithë popullsinë e Rripit të Gazës mes një bllokade të vazhdueshme që ka çuar në mungesa të mëdha të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.
Izraeli përballet me akuza për gjenocid para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) për veprimet e tij në Gaza.