Reagojnë Tifozat Kuq e Zi: Jemi komb i bashkuar, pasardhësit e një historie të lavdishme
Grupacioni më i madh i tifozëve të Kombëtares së Shqipërisë, Tifozat Kuq e Zi edhe një herë ishin mjaft të zëshëm dhe krijuan atmosferë të jashtëzakonshme në ndeshjen e fundit të Kombëtares shqiptare, e cila e mposhti Poloninë me rezultat 2:0 në “Air Albania” në Tiranë.
Ata thonë se nuk janë thjeshtë tifozë, por pasardhës të një historie të lavdishme dhe një familje, duke u shprehur se bëjnë mijëra kilometra nga anë të ndryshme të botës për ta përkrahur Kombëtaren.
Postimi i tifozëve të flaktë dhe besnikë të Kuqezinjve.
Me mijëra kilometra të përshkuara nga anëtarët brenda vetëm 4 ditësh tregojnë jo vetëm pasionin dhe ndjenjën e thellë që kemi për tokën dhe kombin tonë, por edhe vullnetin e palëkundur për të bashkuar forcat për dashurinë e vetme, atë të Shqipërisë!
Kur shohim mijëra shqiptarë nga çdo cep i botës që janë mbledhur me qëllimin e vetëm për të përkrahur dhe ngritur lart flamurin tonë, kuptojmë se jemi një komb i bashkuar dhe i palëkundur.
Ne nuk jemi thjesht tifozë, jemi pasardhësit e një historie të lavdishme dhe një familje! Ne jemi “Tifozat e Kuq e Zi”.