Londra minimizon kërcënimin rus lidhur me raketat me rreze të gjatë veprimi për Ukrainën

Londra minimizon kërcënimin rus lidhur me raketat me rreze të gjatë veprimi për Ukrainën

Kreu i diplomacisë britanike, David Lammy, e përshkroi të dielën paralajmërimin e Rusisë për Perëndimin për mundësinë e autorizimit të Kievit për të përdorur raketa me rreze të gjatë veprimi si një shashkë.

Tensionet rreth kësaj teme të ndjeshme arritën në një nivel ekstrem këtë javë, kur presidenti i SHBA, Joe Biden dhe kryeministri britanik, Keir Starmer diskutuan për këtë mundësi në Shtëpinë e Bardhë.

Si kundërpërgjigje, presidenti rus, Vladimir Putin tha të enjten se ”nëse Perëndimi e lejon Ukrainën të godasë territorin rus me raketa me rreze më të gjatë veprimi, kjo do të thotë se vendet e NATO-s janë në luftë me Rusinë”.

I intervistuar sot në mëngjes nga BBC, Lammy tha se ”diskutimet mbi këtë temë po vazhdonin me Shtetet e Bashkuara dhe aleatët”.

Pyetjes ”a mendoni se Vladimir Putin po gënjen kur vendos në tavolinë kërcënimin e luftës bërthamore, ai u përgjigj se ”mendoj se ajo që po bën Putini është një shashkë… ky është modus operandi i tij”.

”Ai kërcënon në temën e tankeve, ai kërcënon për temën e raketave dhe për armët bërthamore, por ne nuk mund të lejojmë që të devijojmë nga kursi ynë”, vazhdoi ai duke e quajtur presidentin rus një ”fashist imperialist”.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky po u kërkon aleatëve të tij që të jenë në gjendje të godasin objektivat ushtarake që konsiderohen “legjitime” në tokën ruse, siç janë bazat ajrore nga të cilat ngrihen avionët që bombardojnë Ukrainën.

Deri më tani, Perëndimi, i udhëhequr nga amerikanët, është treguar shumë i matur, nga frika se një vendim i tillë mund të shihet nga Rusia si një përshkallëzim. /ATSH/

Share This