Kosova në testin vendimtar
Kosova zbret në fushë për ndeshjen më të rëndësishme të eleminatoreve, atë që për 90 minuta do të heqë shumë pikëpyetje rreth fatit të dardanëve në fushatën për një biletë në Gjermani.
Fillimi negativ me 4 pikë në 5 ndeshje, vendi i pestë nga 6 skuadra në garë dhe 5 pikë diferencë nga vendi i dytë.
Trajneri slloven Primoz Gliha nuk e ka kolauduar ende ekipin por koha nuk pret pasi sonte në mbrëmje në “National Arena” të Bukureshtit ka vetëm një rezultat në lojë, fitorja, në të kundërt, 3 ndeshjet e fundit mund të shërbejnë vetëm si miqësore. Ndeshja starton në orën 20:45, ndërsa barazimi 2-2 kundër Zvicrës i ka injektuar optimizëm skuadrës dardane që ka në grup emra me shumë peshë por ende jo një skuadër në kuptimin më të plotë të kësaj fjale.
Në konferencën e shtypit, mbrojtësi Mërgim Vojvoda është pyetur edhe në lidhje me provokimin që tifozët rumunë kanë bërë në Prishtinë gjatë ndeshjes së parë ndërsa lojtari i Torinos u përgjigj me bindjen se ai përfaqëson Kosovën, një shtet që ka lindur nga lufta dhe kjo e ka bërë më të fortë atë dhe ekipin. Në krahun tjetër, trajneri Primoz Gliha nënvizoi se Rumania mbetet favorite në letër por Kosova sot ka vetëm një rrugë, atë të fitores.