Vuçiq do shpallë okupimin e Kosovës? Osmani: Do të përballet me institucionet
Presidentja Vjosa Osmani ka reaguar mbi kërcënimet e presidentit serb Aleksandër Vuçiq (Aleksandar Vucic) se do shpallë sot Kosovën një territor të pushtuar.
Osmani deklaroi se Vuçiq do të përballet me institucionet e Prishtinës, ndërsa shtoi se Kosova është dhe do të mbetet përherë shtet i pavarur, sovran, demokratik e që do fqinjësi të mirë me të gjitha shtetet në rajon.
“Shpresoj që këto fjalë të Vuçiqit, që tregojnë mendësinë e tij të vërtetë, që është trashëgimi e Millosheviqit, po dëgjohen nga bota mbarë, në veçanti nga disa që po shpresojnë se ai derisa e mban lëkurën e qengjit, nuk është ujku përbrenda. Fytyra e vërtetë e Vuçiqit është ajo që i kërcënon shtetet fqinje me okupim. Nuk ka Vuçiq tjetër, nuk ka Vuçiq pro-paqe, por ka Vuçiq që shkakton destabilitet, që do ta kthej rajonin prapa, por assesi nuk do ta lejojmë. Çka do që mund të synojë, do të përballet me vendosmërinë e institucioneve të Kosovës sepse nuk ka kthim mbrapa, nuk lejojmë kthim prapa”, tha Osmani për Klan Kosova.
Presidentja shtoi se motivi prapa përkrahjes së Serbisë është motivi për ta afruar këtë shtet me BE-në, e që sipas saj, s’po del të ketë sukses.
“Unë e kuptoj se motivi prapa përkrahjes së Serbisë është motiv për ta afruar atë me BE-në, që do të ishte në interes të të gjithë rajonit tonë, por nuk po del të ketë sukses, pasi Vuciqi po vazhdon me kërcënimet e tij të stilit Millosheviqian dhe planet e tij të stilit të Putinit”, tha ajo, duke iu referuar lajmit të disa mediave serbe se Vuçiq do të shpallë këtë të premte (13 shtator) okupimin e veriut të Kosovës.