Super Shqipëria mposht Poloninë në ‘finalen’ e kualifikimit
Kombëtarja shqiptare e ka bërë hapin gjigant në garën për kualifikim në EURO 2024.
Kuqezinjtë mposhtën Poloninë, me rezultat 2-0, të dielën mbrëma në ‘Air Alabania’, sfidë kjo e zhvilluar në kuadër të Grupit E për kualifikueset e ‘Gjermani 2024’.
Të besuarit e brazilianit Sylvinho bën paraqitje mjaft të mirë në duel me polakët, sidomos në pjesën e dytë të kësaj supersfidë.
Skuadra kuqezi përmes Jasir Asanit (37’), i cili shënoi një supergol, zhbllokoi lojën duke ndezur atmosferën në ‘Air Albania’.
Edhe polakët në pjesën e parë gjetën golin, por ishte VAR-i që anuloi golin skuadrës mysafire, kështu që skuadrat shkuan në pushim me epërsinë e Shqipërisë prej 1-0.
Lojë joshëse dhe dramatike është zhvilluar edhe në fraksionin e dytë. Futbollistët e Shqipërisë të përkrahur fuqishëm nga tifozët e shumtë në ‘Air Albania’, e kontrolluan lojën mjaft mirë në terren duke shënuar edhe golin e dytë.
Ishte sulmuesi kosovar Mirlind Daku (63’) për të cilin ishte ndeshja e dytë me fanellën kuqezi, i sapo futur në lojë përfitojë mjaft mirë brenda zonës së rrezikshme dhe shënon golin e dytë për Kombëtaren shqiptare.
Përfundimisht Shqipëria mposht Poloninë në ‘finalen’ e kualifikimit pasi që tani kuqezinjtë kryesojnë Grupi E me dhjetë pikë të tubuara, dy më shumë së Çekia, derisa Polonia ndodhet në vendin e katërt me gjashtë pikë.