Spiropali shpreh gatishmërinë për të vazhduar bashkëpunimi Shqipëri-Kosovë në fushën e parlamentarizmit
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur në takim të mërkurën kryetaren e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Elisa Spiropali.
Konjufca e ka uruar për detyrën e re, me bindje të plotë se jo vetëm që do të vazhdojë bashkëpunimin e ngushtë e shembullor që kanë pasur mes institucioneve legjislative, por ta forcojnë atë edhe më tej.
“Shtetet tona kanë lidhje të natyrshme vëllazërore, sepse janë themeluar mbi sakrificat dhe përpjekjet e të njëjtit komb. Kjo na obligon të qëndrojmë gjithnjë afër, duke mbajtur po natyrshëm të palëkundur parimin e mospërjashtimit mes interesit të shteteve tona dhe atij kombëtar. Në këtë kuptim, znj. Spiropali e falënderova për vizitën e saj të parë në Kosovë në cilësinë e kryekuvendares, sepse ky takim i shërben vizionit të përbashkët të raporteve përplotësuese që na shtyjnë të ecim përpara së bashku”, ka thënë Konjufca.
Ai ka bërë me dije se i ka kërkuar Spiropalit mbështetjen dhe angazhimin e saj, si dhe të institucionit që drejton, për të vazhduar punën e përbashkët në fushën e parlamentarizmit dhe sidomos në arenën ndërkombëtare, sepse mbështetja e ardhur nga Republika e Shqipërisë është e pazëvendësueshme dhe me domethënie të paçmueshme për Republikën e Kosovës, si dhe për lehtësimin e proceseve nëpër të cilat ecën shteti ynë.
Ndërkaq kryetarja Spiropali ka shprehur gatishmërinë e saj pa rezerva, për të punuar me të gjitha kapacitetet në drejtim të ruajtjes dhe thellimit të bashkëpunimit mes dy parlamenteve, duke falënderuar për pritjen e duke pasur shumë pritshmëri e optimizëm për punën që na pret.
Edhe në konferencën e përbashkët për medie, Konjufca dhe Spiropali rivendosën në dukje domosdoshmërinë e mbështetjes së ndërsjellë, si dhe bindjen e përbashkët se sfida e Kosovës në raportet me Serbinë vendoset në rrugë të drejtë sa kohë bazohet në njohje të ndërsjellë, shkëputje e ndëshkim ndaj së shkuarës së krimeve të luftës.