Sylvinho: Barazimi do të ishte rezultat real

Sylvinho: Barazimi do të ishte rezultat real

Trajneri i Kombëtares së Shqipërisë, Sylvinho mendon se skuadra e tij e ka merituar të paktën një barazim në duel me Gjeorgjinë.

Kuqezinjtë u mundën nga Gjeorgjia (0-1), të martën në ‘Air Albania’ në ndeshjen e dytë të këtij sezoni në Ligën e Kombeve.

“Besoj se barazimi do të ishte rezultati i duhur. Kur ne kishim topin, depërtonim mes linjave. Kur e kishin ata topin, bënin të njëjtën gjë. U kthye në një ndeshje taktike deri në momentin e shënimit të golit”, tha Sylvinho pas ndeshjes.

“Ishte një ndeshje e ndryshme nga ajo me Ukrainë. I bëj komplimente lojtarëve. Ishin dy ndeshje shumë të vështira dhe shumë fizike. Nuk kam çfarë t’i them lojtarëve. Për fat të keq humbëm me një gol”, ka pohuar ai.

Strategu brazilian ka lavdëruar Kristjan Asllanin. Sipas Sylvinho mesfushori i Interit është futbollist i nivelit të lartë.

“Asllani po luan shumë mirë. Është një lojtar i një niveli të lartë. E pret një karrierë shumë e mirë”, ka theksuar Sylvinho.

Share This