Sokoli: Jemi favorit ndaj Rumanisë, pres fitore
Trajneri i njohur Bylbyl Sokoli e sheh Kosovën favorite ndaj Rumanisë, ndërsa pret fitore të premten mbrëma.
Sokoli në një intervistë për “Lajmet e Fundit” në “RTK” thotë si përzgjedhësi Franco Foda është trajner i dëshmuar, por nuk ka më kohë për eksperimente.
“Është ndeshja e parë siç thatë, nuk është e parë në ngjarje si Liga e Kombeve, por është e treta për Fodan. Ai nuk ma çka të eksperimentojë, duhet të fitojë. Në një grup Kosova është favorite, rivali kryesor është Rumania. Njihen ndërmjet vete, por që Foda ka krejtësisht filozofi tjetër të lojës para trajnerëve tjerë. Është trajner i dëshmuar, ka kualifikuar Austrinë, i qartë në ide, por çfarë do të ndodhë nesër të shohim”.
Për fund, ish trajneri i njohur i shumë klubeve elitare shtoi se lojtarët janë në formë të jashtëzakonshme, por që Kosova ka nevojë edhe për ndihmën e tifozëve “Dardanëve”.
“Kemi Muriqin që është në formë shumë të mirë, Zhegrova që po luan në nivel shumë të larta, kemi Rashicën, Rrahmanini, pra një grup të futbollistë shumë cilësorë. Përballë Rumanisë jemi favorit e çfarë do të ndodhë të shohim nesër. Pres që Kosova të fitojë edhe pse na nevojitet një mbështetje, ai lojtari i 12-të pra publiku, ku të gjitha biletat janë shitur”.
Ndërkohë, përballja mes Kosovës e Rumanisë zhvillohet në “Fadil Vokrri” me fillim nga ora 20:45 dhe do të transmetohet direkt në “RTK”.