Gjykata federale refuzon të marrë përsipër çështjen e Trump-it në Nju Jork
Një gjykatës federal refuzoi të martën kërkesën e paraqitur nga ish-presidenti Donald Trump për të ndërhyrë në çështjen penale të ngritur ndaj tij për pagesat e bëra, përpara zgjedhjeve të vitit 2016, për të siguruar heshtjen e ish-aktores së filmave pornografikë, Stormy Daniels, e cila thotë se ka pasur një marrëdhënie intime me ish-presidentin.
Kjo ishte përpjekja më e fundit ligjore e Trump-it për të rrëzuar vendimin e jurisë në Manhatan, që e shpalli atë fajtor në muajin maj nën akuzat për falsifikim të dokumenteve, si pjesë e një skeme për të ndikuar në zgjedhje si dhe për të shtyrë dhënien e masës së dënimit ndaj tij.
Gjykatësi Alvin Hellerstein refuzoi kërkesën e avokatëve të ish-presidentit ku i kërkohej gjykatës së rrethit të Manhatanit të merrte në dorë këtë çështje gjyqësore. Gjykatësi u shpreh se nuk ishin paraqitur provat e nevojshme që gjykata federale të ndërhynte duke marrë përsipër çështjen.
Me këtë vendim, dosja gjyqësore ndaj ish-presidentit Trump do të vazhdojë të qëndrojë në gjykatën e shtetit të Nju Jorkut, ku më 18 shtator pritet të jepet masa e dënimit.
Avokatët e ish-presidentit Trump ishin përpjekur ta kalonin çështjen tek gjykata federale, ku do të mund të kërkonin në vazhdim rrëzimin e vendimit dhe pushimin e çështjes, pasi Gjykata e Lartë vendosi për një imunitet të gjerë për ish-presidentët, për veprimet e ndërmarra gjatë detyrës.
Gjykatësi Hellerstein pati refuzuar edhe vitin e kaluar një kërkesë të ngjashme për ta transferuar çështjen tek një gjykatë federale. Duke mos komentuar për ndikimin e vendimit të 1 korrikut të Gjykatës së Lartë, gjykatësi shprehet se për sa i përket çështjes së pagesave të bëra nga Trump-i, ato “ishin veprime private, jozyrtare, jashtë kufijve të autoritetit ekzekutiv”.
Gjykatësi Hellerstein shmangu argumentet e avokatëve se Trump ishte bërë viktimë e “anshmërisë, konfliktit të interesit dhe imazhit të veprimeve të papërshtatshme” me një çështje të drejtuar nga gjykatësi Juan M. Merchan në gjykatën e shtetit të Nju Jorkut.
“Kjo Gjykatë nuk ka juridiksionin për të dëgjuar argumentet e Trump-it në lidhje me papërshtatshmërinë e gjyqit të Nju Jorkut”, shkruan gjykatësi Hellerstein në një vendim prej katër faqesh.
Gjykatësi Hellerstein vë në dukje se ish-presidenti Trump duhet të apelojë në shkallët gjyqësore të shtetit të Nju Jorkut dhe se më pas mund t’i drejtohet edhe Gjykatës së Lartë të Shteteve të Bashkuara.
“Do të ishte shumë e papërshtatshme që kjo Gjykatë të vlerësojë çështje anshmërie, padrejtësie apo gabimesh në sistemin gjyqësor të shtetit”, shkruan gjykatësi Hellerstein. “Këto janë çështje për gjykatat e apelit të shtetit”.
Vendimi i tij u dha disa orë pasi avokatët e ish-presidentit Trump paraqitën kërkesën për ndërhyrje nga gjykata federale. Avokatët patën paraqitur një kërkesë edhe javën e kaluar, dokumentacioni për të cilën u refuzua pasi nuk ishin ndjekur procedurat e duhura.
Më herët të martën, prokurorët e Manhatanit shprehën kundërshtitë e tyre ndaj përpjekjeve të ish-presidentit Trump për të shtyrë procedurat pasi është gjendur fajtor. Në një letër drejtuar gjykatësit të shtetit të Nju Jorkut, prokurorët thonë se gjykatësi nuk ka asnjë detyrim ligjor për të shtyrë procedurat. Ata i kërkuan gjykatësit Juan M. Merchan që të mos vonojë marrjen e vendimit për dy kërkesat kryesore të avokatëve mbrojtës: për kërkesën e ish-presidentit Trump për ta shtyrë dhënien e masës së dënimit deri pas zgjedhjeve të nëntorit, si dhe për kërkesën për ta rrëzuar vendimin dhe për ta pushuar çështjen, pas vendimit të marrë nga Gjykata e Lartë në lidhje me imunitetin.
Gjykatësi Merchan ka thënë se do të vendosë më 16 shtator në lidhje me kërkesën e ish-presidentit Trump për rrëzimin e vendimit të fajësisë. Edhe vendimi për ta shtyrë masën e dënimit pritet të merret në ditët në vazhdim.
Ish-presidenti Trump u gjend fajtor në muajin maj për 34 akuza penale në lidhje me falsifikim të të dhënave të biznesit, për të fshehur pagesat prej 130 mijë dollarësh për aktoren e filmave pornografikë Stormy Daniels, marrëdhënia me të cilën mund të dëmtonte kandidimin e tij në zgjedhjet e vitit 2016. Ish-presidenti Trump ka mohuar pretendimin e saj për një marrëdhënie mes tyre dhe ka deklaruar se nuk ka bërë asnjë shkelje.
Falsfikimi i të dhënave të biznesit dënohet me deri në katër vite burgim. Dënimet e tjera të mundshme variojnë që nga dënimi me kusht dhe deri në gjobitje. /VOA/