Vazhdon faza e tretë e kursit të trajnerëve për Licencën UEFA A, ligjëron Datson
Në ambientet e Kampit Nacional të FFK-së në Hajvali, po vazhdon faza e tretë e kursit për Licencën A të UEFA-s për trajnerë, duke përfshirë edhe komponentën praktike.
E pjesë e ligjërimit në këtë kurs në fazën e tretë është edhe Naomi Datson, mentore e UEFA-s.
“Kjo është hera ime e dytë në Kosovë. Jam pjesë e grupit këshillues për fitnes të UEFA-s, dhe Kosova është një nga shtetet që mentoroj. Jam këtu për të ndihmuar në kursin e trajnerëve të Licencës UEFA A dhe për të dhënë një komponent të fitnesit për trajnerët këtu”, tha ajo.
Naomi Datson ka qëndruar në Kosovë për pesë ditë, duke punuar kryesisht në aspektin e fitnesit. Ajo theksoi rëndësinë e sesioneve teorike dhe më pas zbatimin e teorisë në pjesën praktike në fushën e gjelbër.
“Kursi po shkon shumë mirë. Ky është një grup me kandidatë të shkëlqyer që janë entuziastë dhe të gatshëm për të mësuar. Ka qenë një përvojë shumë e këndshme të punosh me trajnerë që kanë aspirata dhe dëshirojnë të përmirësohen. Shpresoj që kjo të jetë një përvojë e mirë për të gjithë”, shtoi ajo.
Ndërkohë, pjesëmarrësi i kursit, Genc Sermaxhaj, theksoi se zhvillimi i Licencës A për grupin e parë është duke shkuar shumë mirë:
“Ne si trajnerë jemi shumë të kënaqur me ligjërimet që po mbahen nga instruktorët Naomi dhe Klaus. Kjo është një fazë ku fokusohemi në anën praktike. Si trajnerë, kemi pasur nevojë të jemi të përgatitur fizikisht, dhe unë jam shumë i kënaqur me gjithë ecurinë e ligjërimit”, tha ai.