Hoxha fton tifozët të jenë në numër sa më të madh në ‘Air Albania’
Mesfushori kosovar i Kombëtares së Shqipërisë, Arbër Hoxha, në një intervistë për ‘fshf.org’, ka folur për objektivat e kuqezinjve në sezonin e ri në Ligën e Komeve si dhe për përgatitjet e skuadrës para dueleve të shtatorit.
Shqipëria më 7 shtator luan në ‘Epet Arena’ kundër Ukrainës, derisa tri ditë më vonë në ‘Air Albania’ sfidon Gjeorgjinë.
Arbër Hoxha u shpreh se skuadra po përgatitet maksimalisht për të marrë rezultate pozitive në këto dy ndeshje të para të Shqipërisë në Ligën e Kombeve.
Mesfushori kuqezi vlerëson dy kundërshtarët ndërsa tregon objektivat e Kombëtares në këtë edicion të ri të Ligës së Kombeve, që është vendi i parë në grup.
Ndër të tjera, Hoxha i bën thirrje tifozëve shqiptarë të jenë të pranishëm në stadiumin “Air Albania” në ndeshjen kundër Gjeorgjisë, më 10 shtator.
“Së pari dua të fokusohemi te ndeshja e parë me Ukrainën, që e kemi më 7 shtator. Është një kundërshtar i fortë, ka lojtarë shumë cilësorë në radhët e veta. Kemi edhe disa ditë për të përgatitur ndeshjen dhe të fokusohemi 100% që të arrijmë një rezultat pozitiv në këtë ndeshje”, ka thënë Hoxha.
Ai mendon se edhe dueli me Gjeorgjinë, është një sfidë e vështirë, por Hoxha beson së më përkrahjen e tifozëve shqiptare, Shqipëria do të triumfojë në duel me Gjeorgjinë.
“Është një ndjenjë e madhe sepse është ndeshja ime e parë në stadiumin “Air Albania”. I bëj thirrje shqiptarëve që të jenë sa më të shumtë dhe të mbushin stadiumin”, ka theksuar Hoxha.