Tetaj: Për Jakup Krasniqin dhe Kadri Veselin s’i kam parë kurrë
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, edhe të mërkurën po e vazhdon dëshminë dëshmitari Rrustem Tetaj në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Gjatë seancës Tetaj ka thënë se nëse flet për Veselin dhe Krasniqin vetëm mund të bëjë spekulime, ngase ata dy nuk i ka parë kurrë gjatë luftës.
“Unë Kadri Veselin veç në televizor edhe sot që po e shoh qitu se kurrë nuk e kam pa. Nuk e kam pa dhe nuk ka qenë në zonën e luftës, ju lutem unë nuk di se çka ka me thanë për ta. Këta e kam deklaruar edhe para Prokurorisë. Vetëm për Hashim Thaçin që jam taku me të dhe Rexhep Selimin në Jabllanicë e ato që i kam fol përpara, unë për Jakupin dhe Kadri Veselin vetëm se çka spekuloj”, ka deklaruar ai.
Avokati i Thaçit, Luka Mishetiq, në fillim të seancës u fokusua sërish tek takimi i Tahir Zemajt me Thaçin, Bislim Zyrapin e persona të tjerë, ku ua ishte kumtuar emërimi i Ramush Haradinajt në pozitën e komandantit të zonës.
Sipas kryetarit të trupit gjykues, Charles Smith III, të pranishëm në sallën e gjyqit janë të gjithë të akuzuarit, raporton rtk.