Almir Ajzeraj ‘Ylli i Javës’
Federata e Futbollit të Kosovës dhe sponsori i Superligës, Albi Mall, po vazhdojnë të ndajnë çmimin “Ylli i Javës”.
Ky çmim për javën e katërt në Albi Mall Superligë i ka takuar futbollistit të FC Drita, Almir Ajzeraj.
Vlerësimi i më të mirit të javës është bërë nga Komisioni i Veteranëve të Futbollit në përbërje: Sunaj Keqi dhe Fatmir Mehmeti.
Ky komision vendosi që çmimi “Ylli i Javës” për xhiron e katërt t’i takojë Ajzeraj, i cili, ndonëse u aktivizua në pjesën e dytë të ndeshjes, arriti ta zhbllokojë ndeshjen me golin e tij dhe po ashtu asistoi në një tjetër gol, duke qenë lojtari më i vlefshëm i ekipit të tij.
Almiri ishte vendimtar në arkëtimin e tri pikëve të para të FC Drita në këtë edicion të Albi Mall Superligës, ku mposhtën FC Ferizajn me rezultat 3:1
Pasi mori këtë çmim, Ajzeraj u shpreh i lumtur që u vlerësua si më i miri i javës.
“Fillimisht është një start i mirë për ekipin tonë, Drita, meqë është ndeshja e parë në kampionat pas ndeshjeve në Evropë. Një ndjenjë mjaft e mirë që shpallem ‘Ylli i Javës’. Falenderoj bashkëlojtarët e mi, sepse është edhe meritë e tyre. Është e rëndësishme që kemi filluar me 3 pikë dhe do të vazhdojmë ndeshjet një pas një. Sa i përket nivelit të Superligës, çdo vit ka rritje dhe mendoj se sivjet ka akoma më shumë cilësi. Çdo vit gara për titull është më e vështirë dhe më konkurruese. Si çdo vit, FC Drita ka pretendimet të dalë kampion dhe të fitojë Kupën e Kosovës. Do të shkojmë ndeshjet pas ndeshjes. Do të futemi në çdo ndeshje vetëm për fitore”, tha Ajzeraj për faqen zyrtare të FFK-së.