Kosova organizon LM, sportistët do të vendosen në konvikte
Kosova do të jetë nikoqire e Lojërave Mesdhetare më 2030.
Kështu është vendosur në Asamblenë e Përgjithshme të Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare mbajtur në Heraklion të Greqisë. Pesëdhjetë e pesë vota kanë qenë pro, tetë kundër dhe tri abstenime.
Qendra e Studentëve ka njoftuar se është përzgjedhur si vend për akomodimin e mijëra sportistëve që do të marrin pjesë në Lojërat Olimpike Mesdhetare, që do të mbahen në Prishtinë në vitin 2030.
Sportistët që do të akomodohen nëpër konvikte, do të mund edhe të ushqehen në mensë.
“Jemi të lumtur t’iu njoftojmë se në arritjen historike të Kosovës për organizimin e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030 edhe Qendra e Studentëve do të japë kontribut në mënyrë që shteti ynë të arrijë suksesshëm të përmbushë këtë përgjegjësi të madhe, duke u shndërruar në “Fshat Mesdhetar”. Qendra jonë është përzgjedhur si vend për akomodimin e mijëra sportistëve që do të marrin pjesë në këtë organizim të përmasave ndërkombëtare. Qendra e Studentëve, ka pasur një zhvillim të hovshëm vitet e fundit dhe është një strehë e sigurte e plot rehati”, thuhet në njoftim e Qendrës së Studentëve.