Prishtina triumfon me përmbysje të rezultatit ndaj Llapit
Prishtina ka arritur një fitore dramatike me rezultat 3:2 ndaj Llapit, në ndeshjen derbi të xhiros së katërt të Superligës së Kosovës në futboll, e cila u zhvillua, të shtunën në mbrëmje, në stadiumin “Fadil Vokrri” në kryeqytet.
Llapi ishte i pari që kaloi në epërsi. Në minutën e 33-të, Ahmed Januzi shënoi për Llapin me asistimin e Elvir Gashijanit. Megjithatë, Prishtina reagoi dhe arriti të barazojë rezultatin në fund të pjesës së parë, falë golit të Leonat Vitijës në minutën e 45+6.
Në fillim të pjesës së dytë, Llapi riktheu epërsinë me një gol të shënuar nga Ilir Blakçori në minutën e 56-të, pas një aksioni të nisur nga Elvir Gashijani dhe një asistimi të saktë nga Ahmed Januzi. Por, Prishtina nuk u dorëzua dhe barazoi rezultatin në minutën e 69-të me një supergol nga mesfushori Albin Krasniqi, i cili goditi saktë nga distanca. Fitoren për Prishtinën e siguroi Yoan Marc-Olivier në minutën e 77-të. Tentimi i tij fillimisht u prit nga portieri Ilir Avdyli, por topi kishte kaluar vijën e portës dhe goli u pranua nga gjyqtari Genc Nuza, i cili më pas e rikonfirmoi vendimin me ndihmën e VAR-it.
Me këtë fitore, Prishtina siguron tre pikë të rëndësishme dhe forcon pozitat në renditjen e Superligës së Kosovës, ndërsa Llapi mbetet me një shije të hidhur pas një ndeshjeje të luftuar fort, por që përfundoi me humbje.