“Konstatimet e tilla s’kanë të bëjnë me realitetin”, presidenti Ademi i reagon trajnerit të Legia Varshavës
Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) Agim Ademi ka publikuar pamje të fushës “Fadil Vokrri”, duke thënë se deklaratat e trajnerit të Legia Varshavës s’kanë të bëjnë me realitetin.
Trajneri i Legias e kritikoi fushën pas fitores 1:0 ndaj Dritës, megjithatë situata duket se është ndryshe.
Ademi në rrjetin social “Instagram”, ka publikuar pamje të fushës “Fadil Vokrri”, duke thënë se gjithçka është gati për ndeshjet e Kosovës.
“Kështu duket sot fusha e stadiumit ‘Fadil Vokrri’ pas ndeshjes Drita – Legia.
Edhe pse gjatë punimeve të kësaj fushe ka marrë kohë me temperatura shumë të larta, fusha është në gjendje shumë të mirë.
Arsyetimet e trajnerit të Legias se për shkak të fushës së dobët nuk patëm lojë nuk qëndrojnë, sepse të gjithë e dinë se fusha është hibride dhe e standardeve më të larta, prandaj konstatimet e tilla nuk kanë të bëjnë asgjë me realitetin.
Fusha është aty dhe mund të vizitohet nga çdokush dhe të kënaqet me një fushë e cila është e kualitetit të fundit. Falënderojmë MKRS-në dhe ministrin Hajrulla Çeku për investimin në këtë fushë, e cila ka arritur standarde të shkëlqyeshme.
E gëzofshin të gjithë ata që kanë mundësi të luajë në këtë fushë dhe besoj fuqishëm që më së miri këtë e vlerësojnë futbollistët.
Uroj që në këtë fushë Kombëtarja jonë ta nisë mbarë edicionin e ri të Ligës së Kombeve kundër Rumanisë.
Po ashtu, ftoj të gjithë që të jenë në përkrahje të Kombëtares, sidomos Dardanët që të jenë në stadium sa më kreativ e në nivel si gjithmonë”, deklaroi ai.