Haradinaj: Paga minimale duhet të jetë 450 euro
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se vendimi i qeverisë Kurti për pagën minimale prej 350 eurosh, është poshtërim.
Përmes një njoftimi për medie, Haradinaj ka deklaruar se preokupimi i vetëm i kësaj qeverie është si të mbetet në pushtet.
“Kjo pagë minimale është poshtërim. Ata që s’kanë preokupim tjetër përpos si të mbeten në pushtet, gjithmonë në prag të zgjedhjeve, dalin me mashtrimet e radhës për rritje pagash, ulje çmimesh, vende pune e lloj-lloj mrekullirash të tjera. Në kuadër të një fushate për zgjedhje, Qeveria e VV-së, sot paska marrë vendim që të rritet paga minimale në 350 euro. Premtimi për këtë pagë minimale është poshtërim”, ka thënë Haradinaj.
Haradinaj ka shtuar se paga minimale duhet të jetë 450 Euro.
“Paga minimale qysh sot duhet të jetë 450 euro, e që në ditën e parë të qeverisë së re, më së paku 500 euro, natyrisht duke shënuar rritje të përvitshme, në bazë të rritjes ekonomike e inflacionit dhe në këtë pagë minimale duhet të përfshihen të gjitha kategoritë e pensioneve. Vendet e rajonit, qysh moti e kanë kaluar pragun e pagës minimale prej 500 eurosh, ndërsa ky kryeministër, jo vetëm që është vonuar me rritje pagash për katër vjet, por edhe sot pagën minimale e konsideron ndihmë sociale”, është shprehur Haradinaj, raporton rtk.