Spanja “turpëron” Gjeorgjinë, e ndëshkon shtatë herë! 16-vjeçari i Barçës debuton me gol
Spanja nuk tregon mëshirë dhe mposht në transfertë me shifrat 1-7 Gjeorgjinë, një ndeshje e vlefshme për Grupin A kualifikuese të Euro 2024.
“Furia e Kuqe” e zgjidhi ndeshjen brenda pjesës së parë ku realizoi katër gola falë një dygolëshi të Moratës, një goli të Dani Olmos dhe një autogoli të vendasve.
Në fraksionin e dytë, vendasit shkurtuan diferencat, por miqtë sërish shtuan ritmin dhe shënuan edhe tre herë të tjera me anë të Moratës, Inaki Williams dhe talentit 16-vjeçar, Lamine Yamal. Një debutim ëndrrash për talentin e Barcelonës që konfirmohet kështu si një nga lojtarët më me shumë perspektivë për të ardhmen e futbollit spanjoll dhe atij botëror.
Pas këtij trepikëshi, Spanja renditet në vendin e dytë me gjashtë pikë pas tre ndeshjeve të para ndërsa Gjeorgjia mbetet me katër pikë në vendin e katërt. Grupi udhëhiqet nga Skocia me 12 pikë pas katër ndeshjesh të luajtura.