Besimi për organizimin e LM, Kurti: Kështu ngritet imazhi i shtetit
Ngjarje sikur kjo kur Kosovës i besohet organizimi i Lojërave Mesdhetare e ngrisin më lart imazhin e Kosovës, sipas kryeministrit Albin Kurti.
Në një prononcim për RTK-në, shefi i qeverisë kosovare ka vlerësuar se një besim i tillë është lajm i madh për afirmimin e Kosovës.
“Ky padyshim që është lajm i madh edhe për afirmimin e Kosovës, për diplomacinë tonë publike, sepse këso zhvillimesh janë ato të cilat e ngrisin edhe më lart imazhin e shtetit tonë, të Republikës sonë të pavarur”, ka thënë Kurti. “Është një fitore e të gjithëve që vjen si rezultat i punës së gjatë që është bërë nga të gjithë zyrtarët e këtyre instancave”.
Sipas tij, me votimin në favor të Kosovës ngadhënjeu pasioni mbi skepticizmat.
“Kemi një shumicë votash që është mbresëlënëse që e bëri Kosovën e Prishtinën fitimtare. Neve na duhet tash t’i nxjerrim mësimet edhe prej Lojërave Mesdhetare kur u organizuan vitin e kaluar në Algjeri, edhe prej atyre që do të organizohen në Itali më 2026, por besoj që me buxhetimin e përgjithshëm që kemi bërë, me vullnetin e madh që e kemi, me përgatitjet që tashmë jemi duke i planifikuar dhe inicuar, nuk ka dyshim që do të jemi fitimtarë në organizim, i cili përfshinë tri kontinente: Evropën, Azinë dhe Afrikën dhe paraqet një festë të jashtëzakonshme sportive po do të thosha edhe diplomatike ndërkombëtare për neve”, ka thënë i pari i ekzekutivit.
Ai ka falenderuar shtetin e Shqipërisë, që ka vendosur ta ndihmojë Kosovën, duke vënë në dispozicion qytete bregdetare për sporte ujore.