Kryeministri Kurti tregon se çka i tha në takim shefit të CIA-s
Kryeministri Albin Kurti ka njoftuar edhe në profilin e tij në platformën “X’ për takimin që zhvilloi dje me Shefin e CIA’s, William Burns, që e cilësoi si takim të rëndësishëm strategjik.
Kurti ka deklaruar se vizita e Burns në Kosovë dëshmon bashkëpunimin gjithnjë e më të ngushtë ndërmjet institucioneve të inteligjencës dhe sigurisë së Kosovës dhe Komunitetit të Inteligjencës.
Në këtë takim, Kurti ka thënë se ka rikonfirmuar përkushtimin për promovimin e paqes dhe sigurisë në Ballkanin Perëndimor.
“Falënderova drejtorin Burns për mbështetjen e vazhdueshme për Kosovën dhe rikonfirmova përkushtimin tonë për të promovuar paqen dhe sigurinë në Ballkanin Perëndimor. Këto synime të përbashkëta janë të mundshme vetëm nëpërmjet një angazhimi të vërtetë për sundimin e ligjit, demokracinë dhe të drejtat e njeriut, nga ana e të gjitha vendeve në rajon”, ka shkruar Kurti.
Për këtë takim, ai njoftoi edhe në Facebook. Vizitën e cilësoi historike, e Burns si diplomat brilliant.
“Marrëdhëniet e fuqishme bilaterale me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duam t’i forcojmë e zgjerojmë edhe më tej. Vizita e Drejtorit të CIA-s, diplomatit briliant Ëilliam Burns, ishte një mundësi fort e mirë për të biseduar një gamë të gjerë temash dhe për të thelluar e avancuar bashkëpunimin tonë strategjik, në shërbim të paqes demokratike dhe sigurisë euro-atlantike në rajon e më gjerë”, shkroi Kurti.
Burns është takuar edhe me Presidenten Vjosa Osmani.
Vizita e tij në Kosovë vjen pas asaj që raportohet se pati në Beograd dhe Bosnjë.
Për vizitën në Serbi, nuk ka dalë ende asnjë detaj. Madje nuk është konfirmuar ende.
Ndërkohë, në Bosnje e Hercegovinë më 20 gusht, Burns u takua me homologët e tij nga sektori i inteligjencës, me anëtarët e Presidencës së këtij shteti dhe me ministrin e Jashtëm të Bosnjës.
Një zyrtar i Qeverisë amerikane, ka deklaruar për REL se arsyeja e vizitës së shefit të CIA-s në Sarajevë, ndër të tjera ishte edhe për shkak të retorikës dhe veprimeve shqetësuese separatiste të presidentit prorus të entitetit të Republikës Sërpska, Millorad Dodik dhe Qeverisë së këtij entiteti.
Burns është emëruar në pozitën e drejtorit të Agjencisë Qendrore të Inteligjencës së SHBA-së nga Presidenti Joe Biden në janar të vitit 2021.
Burns është një figurë qendrore në administratën e presidentit amerikan Joe Biden, pasi është edhe anëtar i kabinetit presidencial të Shtëpisë së Bardhë. Më herët ai ka qenë ambasador në Rusi.