Shqipëria jo vetëm rezultative, por edhe e bukur…
Asani, Bajrami apo Muçi, pak rëndësi ka, Shqipëria di të shënojë me mesfushorë, sulmues dhe madje edhe gola spektakolarë.
Asnjëherë në të shkuarën kjo skuadër nuk ka shënjestruar të tilla kryevepra në një edicion të vetëm dhe nëse duhet veçuar një karakteristikë e veçantë e këtij grupi, është pikërisht dëshira për të shpikur gola nga hiçi që lindin si tek e momentit në kokën e talenteve të cilët vendosin për të qindtën e sekondës të tentojnë goditjen e pamundur, për shumë madje të çmendur.
I tillë ishte goli i Nedim Bajramit në Pragë, e madje në momentin më të vështirë të kombëtares pasi gola të tillë janë të destinuar të lindin pikërisht në momentet me delikate. Mesfushori i Sasuolos ndriçoi jo vetëm stadiumi por i dha peshë e zhvlerësoi shprehjen e 90 minutëshit me nder sepse këtë herë përveç paraqitjes dinjitoze, ndeshjes i shtuam edhe një pikë jetike për fatet e kualifikueseve.
Këto eleminatore kanë nisur kështu, të çmendura e me gola të pamundur që në të shkuarën rrallëherë i kemi shijuar me një frekuencë të tillë. Kujtoni Asanin me Moldavinë, kryevepër e sulmuesit që talentin e ka me shumicë dhe mbrëmjen e 17 qershorit e çliroi plotësisht me të djathtën fantastike. I njëjti klas e talent por këmbë e ndryshme, e majta.
3 ditë me pas në Ishujt Faroe, Kristjan Asllani nuk u kursye duke na dhuruar këtë kënaqësi për sytë, ndërsa në po të njëjtin vend krimi, Muçi kompletoi vizionin e trajnerit Silvinjo, i cili dëshiron që të shikojë në fushë një skuadër që luan si e tillë.