Gjenden tetë trupa të mbytur pas fundosjes së anijes në Drinë
Tetë trupa të mbytur u nxorën nga lumi Drina, pasi anija me të cilën lundronin disa migrantë, u fundos natën e shkuar gjatë përpjekjeve për të kaluar nga Serbia në Bosnje e Hercegovinë.
Drejtori i Administratës Republikane për Mbrojtjen Civile në Republikën Sërpska, Boris Tërniniq, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se anija u përmbyt pranë qytetit Tegara në komunën e Bratunacit në Bosnje e Hercegovinë.
“Një pjesë e migrantëve shpëtuan, dolën në breg, ndërsa pjesa tjetër jo”, tha ai, duke shtuar se kërkimet janë në vazhdim e sipër.
Lajmi për përmbytjen e anijes u dha fillimisht nga Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë.
Menjëherë pas raportimit, në vendngjarje u dërguan pjesëtarë të Policisë dhe të Departamentit për Situata Emergjente të Serbisë.
Në kërkimet në lum dhe në bregdet, aktualisht, janë duke marrë pjesë shërbimet e të dyja shteteve.
“Sipas migrantëve që kanë arritur në breg, në anije kanë qenë rreth 25 persona, ndërsa policia dhe shpëtimtarët kanë gjetur 18 persona në breg – tre prej të cilëve fëmijë”, tha Ministria e Brendshme e Serbisë.
Sipas të dhënave që Radio Evropa e Lirë mori nga Departamenti i Policisë së Zvornikut në Bosnje e Hercegovinë, bëhet fjalë për migrantë nga Maroku.
Migrantët u ndaluan në Departamentin e Policisë së Zvornikut, ku edhe u intervistuan.
Policia kufitare e Bosnje e Hercegovinës tha po ashtu për REL-in se personat që tentuan t’i kontrabandonin migrantët, aktualisht, nuk dihet se kush janë.
“Për të gjitha është njoftuar prokurori i Prokurorisë së Bosnje e Hercegovinës dhe, aktualisht, po bëhet gjithçka, për t’i vërtetuar faktet dhe për t’i marrë të gjitha masat dhe veprimet për zbardhjen e kësaj ngjarjeje”, thuhet në deklaratën e policisë kufitare të Bosnjës.
Serbia është pjesë e “rrugës ballkanike” përmes së cilës kalojnë migrantët, gjatë rrugëtimit të tyre drejt Evropës Perëndimore.
Në dhjetë vjetët e fundit, në lumin Drina kanë humbur jetën së paku 40 migrantë që kanë bërë përpjekje ta kalojnë atë.
Sipas të dhënave nga Komisariati Serb për Refugjatë dhe Migrim (KIRS), vitin e kaluar, nëpër Serbi kanë kaluar më shumë se 100.000 migrantë, që është mbi 12 për qind më pak se në vitin 2022.
Numri në rënie i kalimeve të migrantëve ka vazhduar edhe në vitin 2024.
Komisionarja serbe për Refugjatët dhe Migracionin, Natasha Stanisavleviq, ka deklaruar më 2 gusht se numri i migrantëve ka qenë 80 për qind më i ulët se në vitin 2023 dhe se, për rrjedhojë, disa qendra pritëse janë duke u mbyllur përgjithmonë./RadioEvropaeLirë