Stano: Qëndrimi i BE-së për Urën e Ibrit nuk ka ndryshuar, Kosova t’i dëgjojë udhëzimet e aleatëve
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka thënë se qëndrimi i bllokut vazhdon të mbetet i njëjtë lidhur me hapjen e Urës së Ibrit.
Në një konferencë për media, ai ka ritheksuar se institucionet e Kosovës duhet të veprojnë për urën në fjalë lidhur me këshillat e aleatëve perëndimor, njofton Klankosova.tv.
“Qëndrimi i BE-së në lidhje me urën ka qenë shumë i qartë në ditët dhe javët e kaluara, dhe u është komunikuar edhe me partnerët në Prishtinë, dhe është diskutuar gjerësisht me të gjithë partnerët e tjerë brenda BE-së, me NATO-n dhe KFOR-in, si dhe qëndrimi i BE-së nuk ka ndryshuar”.
“Nuk ka asgjë të re për të shtuar, vetëm mund të ritheksoj se diskutimet dhe ndërveprimet lidhur me këtë çështje vazhdojnë, dhe janë në linjë me qëndrimet e Bashkimit Evropian, që hapat e njëanshëm dhe të pakoordinuar duhet të shmangen dhe kjo çështje të diskutohet në kuadër të dialogut”.
“Ky është qëndrimi i të gjithë partnerëve dhe aleatëve të Kosovës, dhe autoritetet e Kosovës do t’i bënin një shërbim shumë të mirë vetes dhe popullit të tyre, nëse do të dëgjonin mesazhet e partnerëve dhe aleatëve”, ka thënë Stano. /Klankosova.tv